
Sot sjellim pjesën e fundit të analizës sonë reth dotacioneve të transferuara nga buxheti qendror drejt komunave në vitin 2020: atë të krahasimit të dotacioneve drejt komunave shqiptare mes vete, si në vlerë absolute ashtu edhe në vlerë për kokë banori, për të nxjerrë mësime rreth diskriminimit të mundshëm të komunave opozitare nga pushteti qendror
𝘿𝙞𝙨𝙠𝙧𝙞𝙢𝙞𝙣𝙞𝙢𝙞 𝙞 𝙩𝙧𝙚𝙩𝙚̈: 𝙨𝙝𝙥𝙚̈𝙧𝙣𝙙𝙖𝙧𝙟𝙖 𝙚 𝙥𝙖𝙙𝙧𝙚𝙟𝙩𝙚̈ 𝙥𝙤𝙡𝙞𝙩𝙞𝙠𝙚
Radhitja e komunave shqiptare sipas dotacioneve në vlerë absolute tregon se pesë përfitueset më të mëdha janë qendrat e mëdha urbane. Tetova i prinë dukshëm listës me 16,9 millionë euro transfere nga dotacionet, e pasuar nga Gostivari me 11,1 milionë, Struga me 9,2 milionë, Çairi me 7,6 milionë dhe Kërçova me 7,3 milionë euro.
Këto 5 komuna marrin bashkë 52 milionë euro nga gjithsej 80,3 milionë euro sa marrin 15 komunat shqiptare së bashku, apo 64,8% e shumës së përgjithshme. Komunat e udhëhequra nga opozita (4), përveç Gostivarit, janë që të gjitha në pjesën e dytë të tabelës, gjë që tregon për një lloj shantazhi që u bëhet komunave opozitare nga pushteti qendror.
Shantazhimi i komunave opozitare konfirmohet edhe më tej përmes radhitjes së komunave shqiptare sipas dotacioneve për kokë banori.
Kështu, Dollneni i prinë listës me 180 euro për kokë banori, por është komuna e vetme e udhëhequr nga një parti shqiptare ku shqiptarët nuk janë shumicë.
Në këtë rrafsh, komuna e parë e udhëhequr nga opozita është Gostivari, por që sipas kriterit për kokë banori bie në vendin e shtatë të listës, me 118 euro për kokë banori. Katër komunat tjera të udhëhequra nga opozita janë që të gjitha në pjesën e dytë të tabelës, e cila përbëhet nga komuna rurale.