Diskriminimi fillon qysh në çerdhe: fëmijët shqiptarë katërfish më pak shanca të gjejnë vend në çerdhe sesa ata maqedonas

Një raport i ri i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi ka analizuar statistikat e vitit 2022 për çerdhet dhe qendrat për zhvillim të hershëm fëmijëror në Maqedoninë e Veriut, të publikuara më 19 prill 2023 nga Enti Shtetëror i Statistikës, duke nxjerrë një sërë konstatimesh dhe rekomandimesh rreth diskriminimit të fëmijëve shqiptarë në raport me ata maqedonas.

Dëshmitë shkencore tregojnë se investimi në edukim parashkollor sjell përfitime afatgjata si për fëmijët ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Andaj, duke marrë parasysh rëndësinë e zhvillimit të hershëm fëmijëror, Bashkimi Evropian (BE), në objektivat e tij arsimore synon pjesëmarrjen e 95% të fëmijëve në edukimin parashkollor deri në vitin 2030.

Në Maqedoninë e Veriut, përfshirja në edukim parashkollor ngelet e mangët dhe larg standardeve të BE-së, me vetëm 45% e fëmijëve të moshës 3-6 vjeç që vijojnë edukimin parashkollor.Veç kësaj, qasja në edukim parashkollor është thellësisht jobarazitare, veçanërisht në rrafshin social dhe atë komunitar.

Në nivel vendi, janë gjithsej 113 institucione për edukim parashkollor, me gjithshej 35.932 vende në dispozicion, shumicën absolute prej tyre 95,95% në sektorin publik, gjë që konfirmon rolin  jetik të shtetit në këtë fushë.

Strukutra gjuhësore e fëmijëve që vijojnë edukimin parashkollor, sipas gjuhës në të cilën zhvillohet veprimtaria është si vijon:

🔸 Maqedonisht: 31.420 fëmijë

🔸 Shqip: 3.369 fëmijë

🔸 Turqisht: 165

🔸 Boshnjakisht: 8

🔸 Anglisht: 162

🔸 Veprimtari shumëgjuhësore: 808

Nga ko del se fëmijët shqiptare janë skajshmërisht të diskrimunar sa i përket qasjes në edukim parashkollor krahasuar me ata maqedonas:

🔸 Ndërsa maqedonasët janë 57.86% e popullsisë së përgjithshme, vendet në institucione parashkollore në gjuhën maqedone përbëjnë 87.44% të totalit;

🔸 Shqiptarët që janë 31,51% e popullsisë së përgjithshme, disponojnë me vetëm 9.38% të vendeve në institucione parashkollore në gjuhën e tyre.

Për të arritur nivelin e vendeve në dispozicion në gjuhën maqedone, në përputhje me strukturën kombëtare të popullsisë së vendit, duhet të krijohen hiç më pak se 13.742 vende të reja në gjuhën shqipe, apo një rritje prej 407% krahasuar me gjendjen aktuale.

Thënë ndryshe, nevojat e familjeve shqiptare për vende në institucione parashkollore përmbushën me vetëm 25% krahasuar me ato maqedone. Pra, një fëmijë shqiptarë i lindur sot në Maqedoninë e Veriut, ka katërfish më pak shanca që të gjejë një vend në çerdhe në gjuhën e tij amtare krahasuar me një fëmijë maqedonas.

Ky diskriminim është strukturor dhe ndërlidhet me shpërndarjen e padrejtë të resurseve publike dhe me mungesën e institucioneve në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët. Segregacioni në edukim parashkollor ka pasoja të shumta në rrafshin individual dhe atë shoqëror, duke trashëguar rrethin vicioz të pabarazisë.

Për t’u adresuar karakteri segregacionist dhe diskriminues i politikës së edukimit parashkollor në Maqedoninë e Veriut nevojitet:

🔸 Adresimi i menjëhershëm i karakterit segregacionist në vija kombëtare dhe sociale të infrastrukturës së edukimit parashkollor, duke i dhënë prioritet katërfishimit të institucioneve që veprojnë në gjuhën shqipe dhe rritjes së pjesëmarrjes së fëmijëve nga komunitetet tjera jo maqedone dhe atyre nga familjet e varfra.

🔸 Rritje urgjente dhe substanciale e investimeve në ndërtimin e kapaciteteve të reja në çerdhe dhe qendra për zhvillim të hershëm fëmijëror, për të mbyllur hendekun e frekuentimit i cili momentalisht është rreth 45%, shumë larg cakut evropian që synon pjesëmarrjen e 95% të fëmijëve në edukimin parashkollor deri në vitin 2030.

🔸 Përmirësimi i cilësisë së edukimit parashkollor, duke u fokusuar në mbështetjen e aftësimit dhe zhvillimit profesional të personelit të punësuar në institucione parashkollore.

Shpërndaje: