Dotacionet komunale: Reforma e domosdoshme e decentralizimit fiskal

Në vazhdën e gjetjeve nga hulumtimi ynë rreth dotacioneve të transferuara nga buxheti qendror drejt komunave në vitin 2020, sot sjellim analizë rreth shpërndarjes së dotacioneve duke marrë për bazë përbërjen kombëtare të komunave, bazuar në rezultatet e regjitrimit të popullsisë 2021.

Pa ndonjë befasi, karakteri diskriminues i sistemit të dotacioneve konfirmohet edhe kur krahasohen transferet sipas përbërjes kombëtare të komunave, si në nivel shteti ashtu edhe përbrenda rajoneve planore.

𝘿𝙞𝙨𝙠𝙧𝙞𝙢𝙞𝙣𝙞𝙢𝙞 𝙞 𝙙𝙮𝙩𝙚̈: 𝙨𝙝𝙥𝙚̈𝙧𝙣𝙙𝙖𝙧𝙟𝙖 𝙚 𝙥𝙖𝙙𝙧𝙚𝙟𝙩𝙚̈ 𝙚 𝙙𝙤𝙩𝙖𝙘𝙞𝙤𝙣𝙚𝙫𝙚 𝙣𝙚̈ 𝙗𝙖𝙯𝙖 𝙠𝙤𝙢𝙗𝙚̈𝙩𝙖𝙧𝙚

Radhitja e komunave sipas dotacioneve të pranuara për kokë banori tregon se ndër 15 komunat e udhëhequra nga shqiptarët, tetë (53%) gjinden në kuartilin e fundit; 4 (27%) në kuartilin e tretë; dy (13%) në kuartilin e dytë dhe vetëm një (7%), Dollneni, në kuartilin e parë.

Komunat shqiptare janë gjithashtu thellësisht të nënfinancuara, rrjedhimisht të diskriminuara krahasuar me ato maqedone që ndajnë karakteristika të ngjashme socioekonomike, siç janë numri i përgjithshëm i popullatës dhe ndarja urbane-rurale.

Për shembull, Gostivari përfiton dotacione prej 118 euro për kokë banori, dukshëm më pak se komunat me shumicë maqedone me karakteristika të ngjashme socioekonomike siç janë Manastiri (147 euro për kokë banori) dhe Kumanova (153 euro për kokë banori). Pra, Gostivari është 25% dhe 30% më pak i financuar sesa Manastiri dhe Kumanova.

Kjo vlenë për të gjitha komunat shqiptare, me përjashtim të vetëm katër komunave të financuara më mirë sesa ato maqedone sipas këtyre kritereve: Çairi, Dibra, Dollneni dhe Tetova.

Shpërndaje: