Investimet e gabuara bëjnë të pashmangshme krizën energjetike dhe mjedisore

Në vitin 2021, në Maqedoninë e Veriut janë konsumuar 7.906 gigavat orë energji elektrike, ndërsa janë prodhuar vetëm 5.285 gigavat orë. Pra, kemi një deficit prej 2.621 gigavat orë, apo 33% e konsumit. Kjo e bën vendin tonë importuesin më të madh të energjisë elektrike ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.


Pjesa më e madhe e energjisë elektrike që prodhohet në Maqedoninë e Veriut është nga qymyri, i cili ndot mjedisin. Pëveç se energjia jonë elektrike është ndotëse, ajo po bëhet çdoherë e më shumë edhe e rrallë: në dekadën e fundit, kemi rënie prej 22% të prodhimit vendor të energjisë elektrike, respektivisht nga 6.744 gigavat orë në vitin 2010 në 5.284 gigavat orë në vitin 2021.
Shkaqet e rënies dhe e ndotjes janë investimet e gabuara dhe joadekuate. Kjo përktheht në energji elektrike më të shtrenjtë për xhepin e konsumatorit dhe rrezikim të shendetit të qytetarit dhe të mjedisit jetësor.


Pra, është e qartë se modeli energjetik i vendit është i paqëndrueshëm nga perspektiva ekonomike, sociale e mjedisore, gjë që i bën krizat energjetike të paevitueshme.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet që urgjentisht të rishikojë politikën energjetike të vendit me synim të:

  • Rritjes së kapaciteteve prodhuese nga burime të ripërtëritshme.
  • Liberalizimit dhe decentralizimit të tregut energjetik, si garancë për qasje në energji të përballueshme për xhepin e qytetarit.
  • Rritjes së subvencioneve për kursime energjetike dhe prodhim të energjisë diellore për çdo familje.
  • Inkurajimit të prodhuesve të vegjël dhe garantimit të çmimit blerës.
  • Vazhdimit të gazifikimit të vendbanimeve në drejtim të Dibrës, Kërçovës dhe Strugës

Shpërndaje: