INA Online – IPP Arbën Xhaferi: Deklarata e Mickoskit për kushtetutë sipas modelit kroat, anti historike dhe luftënxitëse

Deklarata e Kryetarit të VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski se partia e tij do të mbështesë ndryshimet kushtetuese me kushtin që preambula të ndryshohet sipas modelit kroat, duke definuar Maqedoninë e Veriut si shtet-komb i maqedonëve dhe i pakicave është anti historike, retrograde dhe luftënxitëse.

Maqedonia e Veriut në fillet e saj si vend i pavarur, përmes Kushtetutës së vitit 1991 të miratuar në mënyrë unilaterale nga partitë politike maqedone, ishte e definuar si shtet-komb i maqedonëve dhe i kombësive tjera që jetojnë në të. Pasojat e minorizimit të tillë të shqiptarëve janë ende të freskëta: referendum për autonomi territoriale dhe politike, pasuar me një konflikt të armatosur që lëkundi themelet e shtetit.

Marrëveshja paqësore e Ohrit ka ndërruar përgjithmonë natyrën e shtetit, i definuar si shtet multietnik dhe demokraci konsensuale, bazuar në tre parime themelore: votimi me shumicë të dyfishtë në çështjet jetike shtetërore; ndarja e pushtetit midis komuniteteve përmes parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe; zyrtarizimi i gjuhës shqipe. Këto parime dhe vetë Marrëveshja e Ohrit u bënë pjesë e Kushtetutës me ndryshimet që pasuan në vitin 2019. Ndryshimet që vijnë këtë vit duhet të përmbyllin shtyllën e mbetur pezull nga Marrëveshja e Ohrit: zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe.

Kroatët janë 91.6% në shtetin e tyre. Në Maqedoninë e Veriut, maqedonët janë zyrtarisht 57.9%, ndërsa shqiptarët, 31.5%, dhe këto numra me gjasë do ishin edhe më të përafarta sikur të mos ishte sabotuar regjistrimi i mërgatës dhe mos të ishte shpikur kategoria “e imputuar”. Andaj, bëhet fjalë për dy realitete krejt të ndryshme, dhe kthimi në pikën zero të vitit 1991 për Maqedoninë e Veriut si shtet nacional i një komuniteti është i pamundur përmes mjeteve demokratike.

Deklarata e Mickoskit u dha më 1 prill, që njihet në popull si dita e gënjeshtarëve dhe e shakaxhinjëve. Ajo duhet të harrohet një ditë e më parë dhe nuk meriton trajtim përtej kontekstit të ditës së shakaxhinjëve.

Shpërndaje: