Komunikatë për media: IPP Arbën Xhaferi mirëpret zgjerimin e shumicës parlamentare

Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi i gëzohet zgjerimit të shumicës parlamentare dhe përshëndet prioritetet e paraqitura në Deklaratën qeverisëse të Aleancës për Shqiptarët, parti kjo e cila do të futet në qeveri nesër, më 13 shurt 2023.

Maqedonia e Veriut është në mes të krizave të mëdha, tri globale e dy vendore, që të gjitha me pasoja për orientimin pro-perëndimor të vendit. Globale janë lufta në Ukrainë, dhe si pasojë e saj kriza ekonomike dhe kriza energjetike. Vendore janë kriza e korrupsionit dhe së fundi kriza kushtetuese.

Rritja e shumicës parlamentare është veprim për t’u vlerësuar në ruajtjen e kursit evropian të vendit dhe ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe për të adresuar murtajën e korrupsionit.  

Duke komentuar Deklaratën qeverisëse të Aleancës për Shqiptarët të mbështetur nga Kryeministri Kocaçevski, Arben Fetai, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi tha se “Qytetarët në veçanti shqiptarët, mirëpresin zotimet e shumicës së re, në veçanti ato për Ligjin për veting dhe forcimin e mekanizmave antikorrupsion, Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, si dhe reformën e decentralizimit dhe të politikës rajonale. Deri më tani, është premtuar shumë në këto fusha nga partitë në pushtet por është realizuar fare pak. IPP Arbën Xhaferi pëkrahë shumicën e re në zbatimin e këtyre zotimeve dhe do të monitorojë në vazhdimësi progresin e arritur në këto sfera”.

Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi është think tank shqiptar i fokusuar në avancimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me synim të zhvillimit të barabartë dhe jo diskriminues të shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë në Maqedoninë e Veriut.

Shpërndaje: