Masat ekonomike të qeverisë: jo efektive në uljen e inflacionit

Një raport i Bankës Botërore i publikuar më 24 tetor alarmonte për rrezikun e stagflacionit në Maqedoninë e Veriut, ku rritja reale e Bruto Prodhimit të Brendshëm për vitin 2022 parashihet të jetë vetëm 2.1%, ndërsa inflacioni ka arritur në 16%.


Numrat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës për muajin tetor 2022 konfirmojnë inflacionin galopant në vend. Kështu, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në tetor 2022, krahasuar me çmimet mesatare të vitit 2021, është rritur për 21.5%, ndërsa Indeksi i Çmimeve me Pakicë është rritur për 17.3%.


Rritjet më të mëdha të Indeksit të Çmimeve të Konsumit në tetor 2022, në krahasim me mesataren e vitit paraprak, vërehen për kategoritë, produktet dhe shërbimet në vijim.
🛒📈 Sa i përket ushqimit dhe pijeve joalkoolike, buka dhe drithërat janë shtrenjtuar për 49,8%, mishi për 30,2%, vajrat dhe yndyrat për 46%, frutat për 21,2% dhe perimet për 27,1%.


⛽️📈 Sa i përket çmimeve të energjisë, energjia elektrike është shtrenjtuar për 20,2%, gazi për 40,8%, lëndët djegëse të lëngëta për 62,2%, lëndët djegëse të ngurta për 40% dhe ngrohja për 27%.


🚌📈 Çmimi i shërbimeve është rritur ndjeshëm gjithashtu. Për shembull, transporti rrugor i udhëtarëve është shtrenjtuar për 25,9%, gastronomia për 23,1%, akomodimi për 31,6% dhe parukeria për 20,8%.


Indeksi i Çmimeve me Pakicë tregon për rritje të mëdha të çmimeve në të gjitha kategoritë. Produkte bujqësore janë shtrenjtuar për 23,8%, produktet industriale për 21,5%, produktet industriale joushqimore dhe duhani për 18%, produktet ushqimore për 30,1%, produktet industriale ushqimore për 32,5%, pijet (alkoolike dhe joalkoolike) për 11,3%, shërbimet për 10,5% dhe mallrat për 21,7%.
Inflacioni i jashtëzakonshëm ka ndikuar në reduktimin e të ardhurave reale të familjeve, veçanërisht e më të varfërve, që janë prekur në mënyrë disproporcionale.
Ky inflacion, krahas hapësirës së kufizuar fiskale, rritjes së borxhit publik dhe të kostove të financimit, tregon se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dështuar në përballjen me krizën ekonomike, si gjatë kohës së pandemisë ashtu edhe me krizën energjetike.


Kjo gjendje kërkon ndërrim të kahjes së Qeverisë në përballje me krizën ekonomike dhe energjetike. Dy masa që duhet shqyrtuar me urgjencë janë :
👨‍👩‍👦‍👦✅ Përmirësimi i targetimit të mbështetjes financiare për të ndihmuar familjet dhe kompanitë e cenueshme.
♻️✅ Krijimi i një fondi për efiçencë energjike.

Shpërndaje: