Përgatitja e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE: të bllokuar në trashëgiminë e Gruevskit

Analiza e Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi të raporteve të progresit të Komisionit Evropian duke filluar nga viti 2015, që rastis të jetë edhe viti i fundit të qeverisjes Gruevski, e deri në raportin e fundit, të vitit 2022, dëshmon se impakti i reformave të qeverisë SDSM-BDI në përafrimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në ka qenë i papërfillshëm.

Edhe pse është arritur progres në disa kapituj të negociatave për BE, siç janë Parimet e shtetit të së drejtës; Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Siguria ushqimore, veterinare, fitosanitare si dhe; Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes, vendi ka shënuar kthim mbrapa në kapituj tjerë si Transformimi dixhital dhe mediat apo edhe Mjedisi dhe ndryshimet klimatike.

Si pasojë kemi një stagnim thuajse total, siç dëshmohet nga vlerësimi në tërësi i 33 kapitujve, ku vazhdojmë të kemi përgatitje mesatare, njëjtë si në në vitin e fundit të qeverisjes Gruevski (2015). Me ritmin e reformave të qeverisjes SDSM-BDI, Maqedonisë së Veriut do t’i duhen hiç më pak se 306 vjet për të përmbushur në tërësi standardet e BE-së dhe për të arritur përgatitje mirë të avancuar.

Pra, raportet e progresit tregojnë se procesi i deritanishëm i zgjerimit ka dështuar të nxisë reforma të mirëfillta. Fatkeqësisht, nuk ka rrugë të shkurtër në përmbushjen e standardeve evropiane. Pa u krijuar bindja në kryeqytetet e BE-së se vendet kandidate kanë përgatitje të mirë, nga peshkataria e deri të siguria nukleare, asnjë vend nuk do të mund të anëtarësohet.

Kjo do të ishte fatale për rajonin, duke ndikuar në klimën e investimeve të huaja dhe duke e bërë thuajse të pamundur arritjen e konvergjencës midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së. Andaj, angazhimi i BE-së në rajon duhet të fokusohet në dy akset kryesore që janë thelbi i Bashkimit Evropian:

  • Rritja e konvergjencës ekonomike dhe me tregun unik evropian, ndër tjera përmes ridinimazimit të Procesit të Berlinit.
  • Krijimin e një nisme evropiane për shtetin e së drejtës, që fatkeqësisht u braktis si ide në Samitin e Sofies (2018) në rrethana të paqarta edhe pse të gjithë partnerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor pajtohen se mungesa e shtetit të së drejtës, kriminaliteti dhe korrupsioni vazhdojnë të jenë problemi më i madh i rajonit.

Nëse nuk adresohen seriozisht këto dy prioritete dhe procesi mbetet i pandryshuar, është e qartë se nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE për dekada me radhë.

Raporti i plotë:

 

Shpërndaje: