Dy vjet pas miratimit të Ligjit të ri për shtetësinë: RMV ende larg zgjidhjes së problemit të pashtetësisë

Sot, në përvjetorin e dytë të miratimit të ligjit për shtetësinë, Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi organizoi debat publik ku u diskutuan të arriturat dhe pengesat në zbatimin e ligjit. 

Arben Fetai, drejtor i IPP Arbën Xhaferi, theksoi se “edhe përkundër faktit se Maqedonia e Veriut është bërë me ligj të ri të shtetësisë dhe nga viti 2020 është nënshkruese e Konventës së OKB-së për Reduktimin e Pashtetësisë, pashtetësia vazhdon të ngelet një problem në vendin tonë.”

Ai tha se sipas një raporti të ri nga IPP Arbën Xhaferi (https://shorturl.at/yBIT8), bazuar në informata të siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) përmes pyetjeve të deputetëve dhe kërkesave për qasje në informata me karakter publik, nga shpallja e ligjit të ri për shtetësinë e deri më tani, janë dorëzuar gjithsej 1.015 aplikime për shtetësi:

  • 817 persona e kanë fituar shtetësinë, nga të cilët 209 kanë qenë pa shtetësi. 
  • 198 persona janë në proces të marrjes së shtetësisë, nga të cilët 16 persona janë pa shtetësi.    

Ilire Dauti, Deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, theksoi se një ndër problement kryesore ngelet fakti se MPB-ja, në kundërshtim me procedirën e nenit 7 të ligjit, vazhdon të dërgojë lëndët për shtetësi në Agjencinë për Siguri Nacionale (ASN) për opinion rreth biografisë së aplikuesit. Dauti poashtu tha se një pjesë e deputetëve që janë pjesë e komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së ASN-së, nuk janë të paisur me çertifikatë sigurie, gjë që u pamundëson atyre kontroll efektive të agjencisë.

Suzana Saliu, Zëvendëse  e Avokatit të Popullit, dha statistika në lidhje me 20.000 lëndët e ndryshme ende të pashqyrtuara nga ASN-ja, ndër to, rreth 7.000 aplikime për shtetësi. Saliu theksoi që një ndër barrierat kryesore në zbatimin e ligjit për shtetësinë është mos reformimi i strukturave të sigurisë dhe inteligjencës të cilat vazhdojnë të jenë mbi ligjin.

Me këto pika, u pajtua Adrian Kerimi, Gazetar në Alsat, i cili solli edhe dëshmi të abuzimeve nga ana e ASN-së në raste individuale të aplikimit për shtetësi. Kerimi sugjeroi që një zgjidhje e mundshme në lidhje me mos zbatimin e ligjit të shtetësisë do duhej të ishte themelimi në Kuvend, i një komisioni hetues që do kërkonte llogaridhënie nga ASN-ja.

Në përgjithësi, bashkëbiseduesit u pajtuan se ligji i ri për shtetësinë ka sjellur progres por se ngecjet në zbatim janë ende të shumta. Njerëzit pa shtetësi përballen me shumë barriera burakratike dhe arbitraritet, kryesisht nga ana e ASN-së, gjë që ndikon që shumë qytetarë të ngurrojnë të aplikojnë për shtetësi. Veç kësaj, mungesa e transparencës institucionale ngelet një ndër problemet kryesore kur është fjala për çështjen e pashtetësisë.

Disa nga rekomandimet që dolën nga paneli i diskutimit ishin si vijon:

  1. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të sigurojë transparencë të plotë rreth aplikimeve për shtetësi, përfshirë duke u mundësuar aplikuesve që të ndjekin progresin e lëndës së tyrë përmes infrastrukturës informatike të ministrisë. 
  • Ministria e Punëve të Brendshme duhet të trajtojë aplikimet sipas nenit 7 të Ligjit për shtetësinë brenda një afati të arsyeshëm ligjor, me automatizëm dhe pa involvim të ASN-së.
  • Ministria e Drejtësisë përmes programit të ndihmës juridike falas duhet të sensibilizojë dhe ndihmojë qytetarët që ngurrojnë të aplikojnë apo përballen me barriera burokratike. 
  • Kuvendi përmes Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë për Sigurinë Nacionale dhe Agjencisë së Zbulimit apo përmes krijimit të një komisioni hetues, duhet të kërkojë llogari nga ASN-ja rreth lëndëve të bllokuara dhe të mbikëqyrë neglizhencat dhe arbitraritetin nga ana e Agjencisë. 
  • Nëse pengesat nga ana e ASN-së vazhdojnë, Kuvendi të themelojë komision parlamentar për shtetësinë / natyralizime i cili do të jetë organi i vetëm vendim-marrës në çështjet e shtetësisë, bazuar në praktikat më të mira evropiane.

Shpërndaje: