Ndryshimi i Kodit Penal: anti evropian dhe i dëmshëm në luftën kundër korrupsionit

Kodi i ri penal i Maqedonisë së Veriut ka ulur dënimet e parapara për keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar, për të punuarit e pandërgjegjshëm në shërbim, si dhe për bashkëveprimin kriminal. Rrjedhimisht, sipas dispozitës që rregullon parashkrimin, është përshpejtuar vjetërsimi i këtyre veprave penale. Përveç kësaj, është shfuqizuar dënimi për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare gjatë prokurimit publik ose në dëm të mjeteve publike.   

Ndikimi i ndryshimit të neneve 353, 353-v dhe 394 në luftimin e krimit dhe të korrupsionit do të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm për dekada me radhë. Dënimet në këto lëndë penale do të jenë më të vogla dhe shumë krime do të parashkruhen më shpejt, duke pamundësuar ndekjen penale ose vuajtjen e dënimit. Andaj, ekziston rreziku se pas këtyre ndryshimeve, pandëshkueshmëria do të kthehet në normë në një sistem edhe ashtu jo efektiv në ndjekjen e krimit dhe korrupsionit.

Skandali më i madh i këtyre ndryshimeve qëndron në abuzimin e procedurës së flamurit evropian që mundëson procedurë të shkurtuar për ligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit vendor me të drejtën evropiane. Përdorimi i flamurit evropian është arsyetuar nga qeveria por, në esencë, ndryshimi i neneve 353, 353-v  dhe 394 është anti evropian dhe në kundërshtim me përpjekjet e institucioneve të BE-së për të lufutar korrupsionin, veçanërisht me praktikën evropiane dhe me direktivën e re evropiane për luftimin e korrupsionit.

Veçanërisht anti evropian është dekriminalizimi i përvetësimit apo shpërdorimit të burimeve publike, krim për të cilin KE kërkon nga shtetet anëtare dënim me burg prej më së paku 5 vjet. Njësoj ani evropian është edhe vjetërsimi më i shpejtë i krimeve që kanë të bëjnë me korrupsionin të cilat tani në Maqedoninë e Veriut do të parashkruhen të gjitha për 3 deri në 5 vjet, ndërsa mesatarja evropiane është 11-13 vjet dhe KE kërkon nga shtetet anëtare që parashkrimi i tyre të jetë së paku 10 vjet.    

Andaj, është e qartë se kodi i ri penal bie ndesh me obligimet e Maqedonisë së Veriut si shtet kandidat për anëtarësim në BE. Nga Maqedonia e Veriut kërkohen reforma që forcojnë shtetin e së drejtës dhe përshpejtojnë luftimin e krimit dhe korrupsionit, jo ndryshime laksiste që e largojnë edhe më tej vendin nga normat evropiane. Herët apo vonë, nenet 353, 353-v dhe 394 do të duhet të ndryshohen sërish për të garantuar përputhjen e kodit penal të vendit me direktivën evropiane kundër korrupsionit, duke rritur dënimet dhe afatet e parashkrimit për krimet në fjalë. Por dëmi tanimë i bërë, në mënyrë krejt ironike përmes pazareve politike në emër të integrimit evropian, mund të jetë i pariparueshëm sepse lufta kundër korrupsionit është shndërruar në farsë.

Shpërndaje: