Rreth Nesh
Instituti shërben si kornizë bashkëpunuese për një shoqëri që synon barazinë e plotë ndërkomunitare, gjinore, kulturore dhe konfesionale. Ne synojmë të ndërtojmë një aleancë të gjerë të forcave shoqërore për të ndikuar në zhvillimin e politikave publike, me synimin që agjenda politike të jetë në anën e qytetarit. Instituti bashkëpunon ngushtë me organizata tjera të shoqërisë civile dhe me fondacione politike në rajon dhe më gjerë, për të trajtuar sfidat e përbashkëta dhe zhvilluar ide që frymëzojnë avancimin e vlerave liberale të politikëbërjes në nivel vendor dhe rajonal.

Misioni dhe Vizioni
Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi është themeluar për të avancuar vlerat liberale të politikëbërjes, përfshirë demokracinë, shtetin e së drejtës, qeverisjen e mirë, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me synim të zhvillimit të barabartë dhe jo diskriminues të shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë në Maqedoninë e Veriut.

Arbën Xhaferi
Arbën Xhaferi ka lindur më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka kryer në vendlindje, ndërsa studimet universitare në degën e filozofisë në Beograd.
Nga viti 1975 deri në vitin 1990, punon në Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës dhe komentator i programit të kulturës. Nga mesi i viteve 1990 është ndër të parët që përjashtohet nga Televizioni nga regjimi i Milosheviçit. Pas kësaj periudhe punon si analist në të përjavshmen “Koha” me editor Veton Surroin, në “Forum” që drejtohej nga Adem Demaçi dhe në disa media të tjera shqiptare përfshirë dhe shumë gazeta prestigjioze në botë.
Do të vijë viti 1993, kur Arbën Xhaferi do të kthehet në vendlindje, tashmë jo si analist, por si politikan. Në vitin 1994 zgjidhet kryetar partie. PDSH e udhëhequr nga Xhaferi arriti të fitojnë zgjedhjet parlamentare të vitit 1998, me një strategji krejtësisht të re.
Xhaferi njihet si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si parakusht për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara në atë kohë kundrejt shqiptarëve, por dhe si mjet që mund të ishte efikas kundër ndarjeve territoriale që sot e kësaj dite i kanosen Maqedonisë. Në rrafshin mbarëshqiptar dhe rajonal, Xhaferi ishte avokat i ndërtimit të një Commonwealth-i shqiptar të modeluar sipas modelit britanik, apo Mbrothësi të përbashkët shqiptare, skicën e së cilës e kishte ideuar në një shkrim autorial.
Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Xhaferi angazhohet te faktori ndërkombëtar që motivet e luftës të mos kërkohen atje ku nuk ekzistonin, pra në Kosovë apo te animet e shqiptarëve për rebelim, ashtu siç pretendonin faktorët maqedonas, por te koncepti i shtetit dhe i Kushtetutës të cilat nuk përputheshin me realitetin multietnik.
Qasja e Xhaferit e përmbledhur në Non-Paperin e PDSH-së në atë kohë turbullirash u përkrah nga faktori ndërkombëtar, duke bërë të mundur legjitimimin e luftës së shqiptarëve, duke nisur kështu maratona e Ohrit, që përfundoi me një marrëveshje për ndërrimin e konceptit etnocentrik të shtetit.
Në zgjedhjet e 15 shtatorit të vitit 2002 Xhaferi kalon në opozitë. Ai mbajti postin e kryetarit të partisë deri në vitin 2007.
Arbën Xhaferi ndërroi jetë më 5 gusht 2012 në Spitalin e Shkupit si pasojë e një hemorragjie cerebrale të pësuar një javë më herët.
Ekipi

Arben Fetai
Drejtor
Arben Fetai është politolog i specializuar për studime evropiane në Universitetin e Lirë të Brukselit. Ai jeton që moti në Bruksel dhe aktualisht është i angazhuar si këshilltar me fondacione ndërkombëtare në fushën e politikave zhvillimore dhe evropiane. Arbeni ka 18 vjet përvojë pune ndërkombëtare në këshillimin e qeverive me agjenci si BE dhe UNDP, si dhe me fondacione dhe OJQ ndërkombëtare. Arbeni është themelues i IPP Arbën Xhaferi.

Omer Ajdini
Zyrtar Projekti
Omer Ajdini ka diplomë master në studime zhvillimore nga Universiteti i Malaya (Malajzi). Ai ka përvojë të gjerë në hulumtim dhe analizë të politikave publike, të dëshmuar në kontekste dhe organizata të ndryshme. Përveç kësaj, ai ka përvojë të gjerë në menaxhim dhe zbatim të projekteve. Së fundmi, Omeri ka qenë kryetar i Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët. Sferat e tij të interesit janë zhvillimi ekonomik, decentralizimi dhe qeverisja e mirë.

Betim Ameti
Zyrtar Projekti
Betim Ameti është ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik dhe kandidat për doktoraturë në të drejtën deliktore. Betimi ka punuar si jurist në Gjykatën e Apelit në Gostivar, në zyra noteriale dhe në OJQ të ndryshme, por edhe si konsulent juridik në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Betimi ka botuar një sërë punimesh kërkimore në fushën e reformave gjyqësore dhe ligjore dhe të drejtës civile.

Yllka Nuredini
Menaxhere e Zyres
Yllka Nuredini është studente e vitit të 4-të në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin Sh. Kiril dhe Metodi. Yllka ka punuar në televizionin kombëtar Alsat M dhe në ekipin organizativ të festivalit Teatri Shqiptar në Maqedoni në Dibër. Yllka është një komunikuese e shkëlqyer me përvojë në zhvillimin e materialeve për platforma të ndryshme mediatike.