Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe Ligji për të punësuarit në sektorin publik: midis shkeljeve kushtetuese dhe vazhdimit të logjikës përjashtuese

Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është një e drejtë kolektive e komuniteteve dhe një e drejtë individuale e qytetarëve të vendit që buron nga akti më i rëndësishëm politik i vendit, Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe garantohet me aktin me të lartë juridik të vendit, Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, neni 8, paragrafi 2.

Ligji për të punësuarit në sektorin publik në nenin 3, paragrafi 3, në mënyrë flagrante shkel parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke përjashtuar zbatimin e tij gjatë procesit të rekrutimit dhe punësimit në organet më të rëndësishme të sovranitetit shtetëror siç janë Armata, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme (dhe organet e administratës shtetërore në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përfshirë Byronë për Siguri Publike), Agjencia për Siguri Nacionale, Agjencia e Inteligjencës dhe Drejtoria e Policisë Financiare.

Përveç minimit të shtetit të së drejtës që shkakton rrëzimi i tillë i hierarkisë së normave juridike, politikisht, kjo shkelje kushtetuese mirëmban logjikën diskriminuese dhe përjashtuese të periudhës së para Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, duke shkaktuar antagonizëm dhe mosbesim ndërmjet komuniteteve. Kjo ndikon në lojalitetin ndaj shtetit të një pjesë të madhe të qytetarëve që përfaqësojnë mbi 40% të popullatës së vendit, dhe dëmton zhvillimin e Maqedonisë e Veriut si demokraci multi-etnike evropiane.

Në kuadër të rrugëtimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të reformave evropiane të kërkuara nga Komisioni Evropian, Kuvendi duhet të ndërtojë konsensus politik gjatë vitit 2023 për të amendamentuar Ligjin për të punësuarit në sektorin publik duke anuluar nenin 3, paragrafi 3, dhe për ta sjell këtë ligj në përputhje me Kushtetutën dhe me frymën e Marrëveshjes Kornizë së Ohrit. Në të kundërtën, partitë politike shqiptare dhe të bashkësive tjera të diskriminuara, shoqëria civile apo qytetaret të cilëve po u shkelet një e drejte kushtetuese duhet të ndërmarrin nismë pranë Gjykatës Kushtetuese, për rrëzimin e nenit 3, paragrafi 3, të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik.

Shpërndaje: