Raport i ri nga IPP Arbën Xhaferi: Gjendja e decentralizimit fiskal në Maqedoninë e Veriut

Një raport i ri nga Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi dëshmon se pushteti lokal është i “ngulfatur” nga pushteti qendror. Komunat janë në varësi të madhe nga pushteti qendror për nga ana financiare. Kjo ndodhë për dy arsye: e para ka të bëjë me centralizim e tepruar të pushtetit, dhe e dyta është se komunat nuk gjenerojnë mjaftueshëm të ardhura vetanake.

Raporti “Gjendja e decentralizimit fiskal në Maqedoninë e Veriut”  jep një pasqyrë të kornizës ligjore të pushtetit lokal në Maqedoninë e Veriut si dhe një këndvështrim krahasues me përvojën ekzistuese në dy shtete fqinje, Kosova dhe Shqipëra.

Kjo analizë vlerëson shkallën e zbatimit të politikave për vetëqeverisje lokale ne sferën e kompetencave të komunave, përkrahjaqë u ofrohet atyrenëpërmjet bllok dotacioneve dhe transfereve tjera nga pushteti qendror, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen komunat në përmbushjen e mandatit të tyre ligjor. Raporti po ashtu vlerëson dinamikën e komunikimit midis pushtetit qendror dhe atij lokal, e në veçanti komunave të cilat janë menaxhuar nga kryetarë komunash që nuk u përkasin partive që qeverisin në pushtetin qendror. Për të matur nivelin e komunikimit të pushtetit lokal dhe qendror, si dhe për të identifikuar pengesat në zbatimin e politikave, në periudhën prill – korrik 2023, IPP Arbën Xhaferi ka realizuar hulumtim të detajuar në komunat e Gostivarit, Kumanovës, Tetovës dhe Vrapçishtit, duke realizuar intervista me udhëheqës të sektorëve të financave në këto komuna.

Hulumtimi konstaton se financimi i njësive të vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri rezulton të jetë me modele të ngjashme, por se Maqedonia e Veriut është më e centralizuar në aspektin fiskal. Në këtë drejtim, konstatohet se si pasojë e centralizimit, financimi është i kufizuar dhe ndërhyrja e pushtetit qendror kundrejt atij lokal bëhet lehtësisht. Kjo është vërtetuar në të gjitha komunat që ishin pjesë e studimit, të cilat shprehën shqetësimin e njëjtë për marrjen e kompetencave nga pushteti qendror.

Financim i pamjaftueshëm dhe i kufizuar, marrja e kompetencave për shkak të motiveve partiake dhe pengimi në kryerjen e funksioneve, mungesa e mbështetjes në aplikimet për grante dhe investime të ndryshme, janë disa nga sfidat kryesore që duhet të adresohen në procesin e forcimit të decentralizimit.

Formula për kthimin e TVSH-së veçanërisht është jo ideale për buxhetin e komunave dhe duhet të ndryshohet një ditë e më parë. Nga intervistat e realizuara në katër komunat që ishin pjesë e studimit në asnjërën prej tyre nuk kishte të ardhura nga resurset natyrore, si burimet e ujit apo gjenerimi i energjisë, edhe pse me ligj parashihet që 25% e fitimit për secilin koncesion mbetet në buxhetin e Komunës, dhe pjesa tjetër prej 75% shkon në buxhetin qendror.

Çështje tjetër të rëndësishme që detekton ky hulumtim është problemi i inkasimit të tatimit lokal. Në fakt, kjo problematikë prek të gjitha komunat në nivel vendi. Komunat përdorin mekanizma të ndryshëm detyrues e ndëshkues që të arrijnë të grumbullojnë tatimin. Nga ana tjetër, qytetarët e kanë të vështirë të paguajnë tatim, sidomos në komunat rurale ku mungojnë kushtet elementare për jetesë: uji, rrugët dhe kanalizimet.

Pjesë tjetër e rëndësishme e hulumtimit vë në pah edhe mungesën e përgatitjes adekuate të personelit komunal për të aplikuar për grante të ndryshme që ofrohen nga fondet IPA të BE-së apo edhe nga organizata të tjera ndërkombëtare. Pikërisht, në këtë drejtim decentralizimi luan rol të drejtpërdrejt në mëvetësimin e komunave, rritjen e përgjegjësisë dhe përgatitjen për tu përballur dhe menaxhuar me kompetencat e veta.

Analiza ofron rekomandime për nivelin qendror si dhe për atë lokal që synojnë shmangien e pengesave në zbatimin e politikave dhe përmbushjen e përgjegjësive tënivelit lokal të qeverisjes.

Në vijim, mund të lexoni raportin në shqip, maqedonisht dhe anglisht.

Shpërndaje: