Komunikatë – “Platforma e Tiranës” gjashtë vite pas nënshkrimit: e zbatuar vetëm 22% dhe e harruar

Takimi i së martës në Tiranë, ku Kryeministri shqiptar, Edi Rama, priti në një darkë fillim viti liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, riktheu në aktualitet Deklaratën e përbashkët e partive politike shqiptare, e njohur në Shkup si “Platforma e Tiranës” dhe shpeshherë e përcjellë me tone urrejtëse nga qarqet nacionaliste maqedone.

Deklarata u nënshkrua nga liderët e partive parlamentare shqiptare pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit 2016 dhe përmbanë 18 zotime që u paraqiten si agjenda e përbashkët politike shqiptare, duke përfshirë arritjen e barazisë së plotë politike dhe ekonomike, forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve, zgjidhjen e çështjes së emrit, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrimin e shpejtë në NATO dhe në BE.

Gjashtë vite nga nënshkrimi i saj, analiza e Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi tregon se vetëm 4 nga 18 zotimet e Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, apo vetëm 22% prej tyre janë zbatuar:

  • Krijimi i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve;
  • Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, rekomandimet e Pribesë, rekomandimet urgjente të Komisionit Evropian si dhe rekomandimet nga Dialogu i lartë me BE-në.
  • Krijimi i institucioneve qëndrore për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, që erdhi si pasojë e miratimit të ligjit për gjuhët.
  • Zgjidhja e çështjes së emrit, përmes Marrëveshjes së Prespës.

Të gjitha zotimet tjera, ose nuk u trajtuan fare ose u zbatuan vetëm pjesërisht, siç tregon vlerësimi në vijim.

Kjo mungesë zbatimi sqarohet nga minimi i mekanizmit mbikëqyrës nga partitë shqiptare në pushtet, atë të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare të cilën BDI dhe PDSH e kanë sabotuar pas hyrjes së tyre në qeveri.

Si pasojë nuk u soll asnjëherë një plan veprimi dhe afate për realizimin e zotimeve nga deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare.

Shpërndaje: